“Pengu” i portierit të Juventus: Në vitin 2014 isha pranë Bayernit të Guardiolës!
Mattia Perin, sot është portieri i dytë i Juventus, megjithatë karriera e gardianit 29-vjeçar mund të ishte krejtësisht e ndryshme nëse nuk do të ishte për dy dëmtimet në ligamente që e kushtëzuan ndjeshëm atë që konsiderohej si një nga talentët më premtues të portës italiane.
Në një intervistë të fundit për DAZN, Perin thekson se për të është më mirë të jetë numri dy i Juventus ndërsa zbulon edhe një “peng” që lidhet me emrin e Bayern Munich.
“Pse kam vendosur të jem numri dy? Në sipërfaqje mund të duket një zgjedhje e lehtë, por në fakt është një zgjedhje ambicioze sepse kam menduar se mund edhe ta mbyllja karrierën me 400 ndeshje të luajtura, por nuk do të mund të konkurroja për të fituar diçka të rëndësishme dhe kështu do të më mbetej “peng”. Falë Juventusit, kam luajtur dy finale dhe jam pjesë e Champions League.
Preferoj të luaj pak ndeshje me Juventusin se sa shumë me një tjetër skuadër, por pa pasur mundësinë e trofeve. Kam pasur mundësinë të transferohesha te Atalanta në sezonin e shkuar, por më duket sikur Universi kërkonte që unë të mbetesha pjesë e Juventus. E dëgjova atë dhe mendoj se kam bërë mirë.
Dy dëmtimet në ligament mes vitit 2015 dhe 2016? Dëmtimet kanë ardhur edhe si pasojë e gabimeve të mia, pas dëmtimit të dytë kam menduar edhe të tërhiqem.
“Pengu” më i madh? Në vitin 2014 isha pranë transferimit te Bayern Munich që në atë kohë drejtohej nga Pep Guardiola. Me mentalitetin që kam tani, nëse koha mund të kthehej pas, nuk do të isha menduar dy herë për të shkuar në Gjermani”, u shpreh Perin.



