Perfeksionisti Guardiola, asgjë s’ia lë rastësisë!
Sekreti i madh i suksesit të Pep Guardiolas është se ai nuk i lë asgjë rastësisë, edhe për detajet që mund të duken më të parëndësishmet. 47-vjeçari nuk e fshehu zhgënjimin e madh për gabimet e bëra nga lojtarët e tij, pavarësisht fitores 3-0 kundër Fulhamit. Për këtë arsye, trajneri katalani vendosi të anulojë pushimin e ditës së diel, duke thënë se nuk duron dot kur lojtarët e tij bëjnë gabim gjërat më të thjeshta, si ndonjë pasim të thjeshtë apo kontroll të gabuar të topit.
Sipas mediave angleze, ditën e diel Guardiola e transformoi nga një ditë pushimi, që lojtarët mund ta kalonin me familjen, në një stërvitje të gjatë taktike.
Të mërkurën, Manchester City nis aventurën në Champions League, ku do të presë në “Etihad Stadium” francezët e Lyonit. Pavarësisht se cilësohen favoritë në grupin e tyre, ku përveç Lyonit janë Hoffenheim dhe Shakhtar Donetsk, Guardiolës nuk i pëlqejnë këto etiketime, prandaj do të sigurohet që gjithçka të shkojë në perfeksion.
Pas 5 javëve kampionat, City i tij gjendet në vendin e 3 në Premier League me 13 pikë të grumbulluara, pas Chelsea-t dhe Liverpoolit, që nuk kanë humbur ose barazuar qoftë një ndeshje deri tani.



