Përfundoi jashtë kombëtares, trajneri Motta “merr me të mira” Manaj: Ishte në dispozicion të ekipit
Surpriza në listën e shpallur ditën e djeshme nga trajneri i Shqipwrisw Edi Reja për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Katar 2022, atë ndaj Anglisë më datë 12 në transfertë dhe pas tre ditëve në shtëpi ndaj Andorrës, kishte të bënte me Rei Manaj. Emri i sulmuesit lushnjar mungonte dhe mesa duket tekniku italian i kuqezinjve e ka lënë jashtë si pasojë e mungesës së vazhdimësisë me Spezian në Serinë A.
Dhe, në fakt 24-vjeçari nuk ishte titullar as në ndeshjen e djeshme të kampionatit ku Spezia fitoi ndaj Torinos me rezultatin 1-0, me trajnerin Thiago Motta që i rezervoi shqiptarit vetëm dhjetë minuta. Megjithatë, kaq mjaftuan që Motta ta përgëzonte Manajn në intervistën pas ndeshjes duke vlerësuar gatishmërinë e lojtarit për të ndihmuar skuadrën.
“Manaj pati një impakt të mirë kur u fut në fushë, ndihmoi shokët dhe kërkoj të vendosej në dispozicion të ekipit. Unë e di se ai është një sulmues dhe që në fushë nuk bëri rolin e tij, por ia doli më së miri. Prej momentit kur hyri Manaj na dha një ndihmë të madhe, madje kishte mundësi edhe të shënonte”, u shpreh Motta.



