Përfundoi ndeshjen në minutën e 85, arbitri justifikohet me temperaturën
Një nga episodet që ka bërë xhiron e botës në rrjetet sociale së fundmi, i përket ndeshjes së Kupës së Afrikës mes Tunizës dhe Malit sfidë e cila përfundoi me rezultatin 0-1. Në këtë takim, arbitri kryesor Janny Zikazwe i habiti të gjithë teksa e përfundoi ndeshjen kur sapo kishte nisur minuta e 85.
Sigurisht, të pranishmit dhe pankinat respektive, sidomos ajo e Tunizisë reaguan menjëherë pasi ishin edhe në humbje. Kështu, arbitri e kuptoi gafën qesharake dhe e rinisi takimin, megjithatë nuk ishte e thënë që ta lejonte këtë sfidë të plotësonte 90 minutat e plota. Kjo pasi në minutën e 89 e 44 sekonda, ai akordoi fundin e ndeshjes.
Sërish, pati kontestime pasi në shumë momente ndeshja ishte vonuar edhe si rezultat i ndërhyrjes së VAR. Gjithsesi, në këtë rast, Zikazwe nuk e ktheu vendimin dhe i dërgoi përfundimisht në dhomat e zhveshjes futbollistët.
Por, tashmë ka edhe një justifikim mbi vendimet e arbitrit nga Zimbabwe, teksa Essam Abdel-Fatah që është edhe përgjegjësi për arbitrat në Kupën e Afrikëss theksoi se temperatura dhe lagështira e lartë kishin ndikuar për ta mbyllur para kohe sfidën.
“Arbitri vuajti shumë vapën si pasojë e temperaturave të larta, ishte 34 gradë celcius kur po luhej ndeshja dhe kishte një lagështirë prej 65%. Arbitri pati një dehidratim dhe pas ndeshjes u dërgua në spital. Kur ai pati këtë problem duhej që sfidën ta merrte në zotërim arbitri i katërt, por një nga kombëtaret nuk pranoi’, u shpreh Essam Abdel-Fatah.



