Përfundon pa nisur ende, aventura e Gafurit te Flamurtari
Argjent Gafuri kërkoi largimin nga Flamurtari ende pa e shijuar minimalisht qytetin e Vlorës. Mesfushori, i cili në fillim të Janarit u konsiderua si një afrim me vlera nga drejtuesit kuqezi, kërkoi të rikthehej tek Renova dhe tashmë klubi vlonjat ia ka plotësuar dëshirën.
Futbollisti është huazuar për 6 muaj tek klubi nga Xhepçishti, me Flamurtarin që ka vendosur të mos bëhet pengesë, duke qenë se vetë lojtari nuk ndjehej aspak mirë dhe nuk u mësua me qëndrimin larg familjarëve të tij.
Lojtari i komunikoi trajnerit Duro dëshirën e tij për t’u larguar një ditë përpara ndeshjes me Partizanin dhe tekniku e lejoi të udhëtonte drejt Maqedonisë. Një aventurë e mbyllur pa startuar ende ajo e Argjent Gafurit në kampionatin shqiptar, me Flamurtarin që në këtë rast respektoi maksimalisht ndjenjat e lojtarit.
28-vjeçari numëron një karrierë për t’u respektuar në kampionatin e Maqedonisë ku është aktivizuar për 9 sezone me ngjyrat e Renovës, teksa ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses maqedonase të 21-vjeçareve.



