Perisiç “fluturon” në krah, drejtuesit e Interit i bëjnë gati kontratën e re
Ivan Perisic nuk njeh moshë, pasi vrapon pa fund jo vetëm për të çuar Interin drejt titullit të dytë kampion radhazi, por edhe për të bindur drejtuesit zikaltër t’i ofrojnë një tjetër kontratë në fund të sezonit aktual.
Bisedimet për rinovimin kanë nisur prej kohësh, por kroati ka kërkuar kontratë dy vjeçare me pagë 5 milionë euro në sezon, ndërsa milanezët kanë ofruar kontratë 1+1, me pagë 4 milionë euro në sezon.
Diferenca gjithsesi është e vogël dhe dy asistet ndaj Veronës, por edhe fakti që mund të mbulojë disa pozicione në fushë, ka bërë që drejtuesit e Interit të marrin në konsideratë plotësimin e kërkesave të anësorit kroat.
Simone Inzaghi nuk e fsheh asnjëherë vlerësimin e tij për Perisic dhe e cilëson fondamental, pavarësisht blerjes së Gosens, ndërsa tani topi është në këmbët e drejtuesve, që duhet të bëjnë përpjekjet e tyre për të mbajtur akoma në Milano kroatin.
Vetë ky i fundit tregoi gatishmëri të luajë edhe si mbrojtës krahu, përveçse si mesfushor e sulmues, pasi theksoi se primare ka të ndihmojë skuadrën të fitojë një tjetër titull kampion.



