Përplasja Aubameyang-Watzke, sulmuesi: Ju jeni një klloun!
Sulmuesi i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, ka sulmuar ashpër shefin ekzekutiv të Dortmund, Hans-Joachim Watzke, i cili pak ditë më parë ishte shprehur se sulmuesi ishte larguar për para nga verdhezinjtë dhe “tani do të jetë i trishtuar gjatë të mërkurave, pasi do të jetë i detyruar t’i shohë ndeshjet e Championsit nga televizori.”
Aubameyang u përgjigj në Twitter, ku shkroi se Watzke, të cilin ai e quajti “një klloun”, u zotua të mos e shiste Ousmane Dembele, por sapo iu ofrua një shumë e majme parash, nuk u mendua gjatë.
“Do të ishte më mirë për ju që unë të mos flisja për arsyet pse u largova nga Dortmundi. Zoti Watzke, ju jeni një klloun”.

Watzke shiti Dembelenë te Barcelona në vitin 2017 për një tarifë që mund të rritet në 135.5 milionë, pavarësisht se më parë thoshte se anësori nuk do të largohej.
Ndërkohë Aubameyang u bashkua me Dortmundin në vitin 2013 duke shënuar 141 gola në 213 paraqitje për klubin. Që nga nënshkrimi për Arsenalin ai ka shënuar 49 gola në 73 ndeshje.



