Pësoi atak në fushën e lojës, Presidenti i Federatës së Kosovës viziton në spital futbollistin
Alban Rexhepi ishte me shumë fat që ia doli t’i shpëtonte një situatë tejet të vështirë në fushën e lojës teksa lojtari i Vllaznisë së Pozheranit pësoi një atak kardiak në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Stafi mjekësor i Vllaznisë reagoi me shpëjtësi e cila ishte vendimtare në këtë rast me lojtarin që menjëherë u dërgua në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrje kirugjikale.
Gjithçka shkoi mirë dhe tashmë ish-futbollisti i Laçit është në gjendje të mirë dhe të stabilizuar, ndërsa në spital është vizituar edhe nga Presidenti i Federatës së Kosovës, Agim Ademi. Ky i fundit i ka orfuar mbështetje Rexhepit ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë sulmuesit anësor.
Më poshtë deklarata e Agim Ademit:
Në orët e mbrëmjes isha për vizitë në QKUK tek futbollisti i KF Vllaznia nga Pozherani, Alban Rexhepi.
Ai në ndeshjen e sotme në Ligën e Parë, Vllaznia – Flamurtari, shfaqi disa shenja shqetësimi në shëndet gjatë pjesës së dytë, derisa pas ekzaminimeve mjekësore u konstatua se kishte arrest kardiak dhe si rrjedhojë ishte e domosdoshme t’i vendoset një stentë.
Fatmirësisht Albani tashmë është në gjendje të mirë, falë intervenimit të shpejtë të stafit mjekësor të QKUK-së.
E urova për ta tejkaluar sa më parë këtë gjendje si dhe ia shpreha gatishmërinë për ndihmë në rast nevoje në të gjitha format.
Urojmë që ai sa më parë të rikthehet pranë familjes, por edhe klubit dhe futbollit.
Shërim të shpejtë Alban!
Të presim më të fortë!



