Pika e “Niko Dovanës”, shpresë e moral për Kamzën
Barazimi në “Niko Dovana” ndaj Teutës sigurisht që nuk bën diferencë të madhe në klasifikim, por Kamzës ajo pikë e fituar në Durrës i jep shpresa të mëdha për mbijetesën. Trajneri Ernest Gjoka duket se ka rigjetur grupin e duhur për të vijuar deri në fund, pasi ky barazim pasoi suksesin në Kupë ndaj Vllaznisë.
Tashmë humbjet me Tiranën dhe Partizanin dhe mbi të gjitha bojkoti i titullarëve, për arsyet financiare në duelin me të kuqtë, shihen si një ëndërr e keqe. Vegimet janë lënë pas, me formacionin e Gjokës që ka përfituar nga rezultatet e javës për të lënë pas Kastriotin për efekt golaverazhi, teksa të dy ekipet janë me pikë të njëjta.
Për momentin, në garën për mbijetesë janë pikërisht krutanët dhe Luftëtari si rivalët më të afërt, me kryeqytetasit e vegjël që kanë fituar shumë moral pas pikës së marrë në një transfertë të vështirë ndaj një kundërshtari që synon të konsolidojë pozitat në zonën europiane.
Madje ky barazim vjen në momentin e duhur për kamzalinjtë, të cilët shkojnë me moralin e duhur në përballjen direkte me Kastriotin këtë të shtunë. Gjithçka e mirë e bërë në harkun e pak ditëve në Kupë dhe kampionat nuk do të ketë vlerë nëse nuk ruhet vazhdimësia, me Kamzën që shpreson të përsërisë mrekullinë e javëve të fundit të një sezoni më parë.



