Pioli në hall para transfertës torineze, i shtohen edhe katër mungesa me peshë
Fitorja e Interit ndaj Veronës, ka vënë nën presion Milanin, që mbrëmjen e sotme do të përballet me Torinon në transfertë, me synimin për të marrë 3 pikët që do t’i ndihmojnë të ruajnë distancën nga ndjekësit.
Përtej vështirësisë që paraqet transferta ndaj skuadrës “granata”, trajneri Stefano Pioli ka marrë një lajm të keq nga infermieria, pasi listës së mungesave i janë shtuar edhe katër futbollistë të tjerë, dy prej të cilëve mjaft të rëndësishëm për skuadrën.
Bëhet fjalë për Zlatan Ibrahimovic, që ka shfaqur një problem në gju, Ismael Bennacer, Ante Rebic dhe Samu Castillejo, të cilët kanë shfaqur probleme muskulore dhe të katër nuk kanë udhëtuar me ekipin në Torino.
Këta futbollistë u shtohen edhe emrave si Romagnoli, Kjaer e Florenzi, të cilët e kanë mbyllur sezonin tashmë dhe komplikojnë jo pak punën e Piolit për ndeshjen e sotme, pasi do të mbetet pa alternativa në stol.



