Pioli: Sfidat direkte vlejnë dyfish, ndaj Lazios pa Ibrën dhe Tomorin
Humbja e befasishme ndaj Sassuolos mbrëmjen e të mërkurës ka komplikuar jo pak objektivat e Milanit, që deri në fund të sezonit do të ketë tre përballje direkte për zonën Champions, ndaj Lazios nesër në mbrëmje, ndaj Juventusit dhe ndaj Atalantës.
Trajneri Stefano Pioli doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp ku tha se skuadra ka lënë pas krahëve humbjen me Sassuolon dhe theksoi se Milani e meriton plotësisht arritjen e një vendi në zonën Champions.
“Stërvit një skuadër inteligjente, që ka lënë menjëherë pas krahëve humbjen ndaj Sassuolos dhe e ka përqendruar vëmendjen te sfida e nesërme. Për atë që kemi bërë në këto 32 javë, mendoj se e meritojmë plotësisht arritjen e një vendi në zonën Champions, pasi kemi demonstruar se jemi më të fortë se të gjithë, përveç Interit që është para nesh”, deklaroi trajneri kuqezi.
Më pas Pioli foli me superlativa për Lazion dhe bëri thirrje për përqendrim maksimal te të tijtë, ndërsa pranoi se pikërisht nga përballjet direkte do të vendoset edhe objektivi i kuqezinjve, që është zona Champions.
“Lazio ka një një skuadër të mirë-organizuar, me sulmues cilësorë e me karakteristika të ndryshme, ndaj sfidat me ta janë gjithmonë të balancuara. Për fatin tonë të keq do të luftojmë në ndeshjet direkte për objektivin tonë sezonal dhe duhet të dimë që këto takime vlejnë dyfish. Lazio është disi më mbrapa dhe nëse fitojmë, atëherë eliminojmë një rival në këtë garë”, u shpreh trajneri.
Zlatan Ibrahimovic rinovoi kontratën me Milanin një ditë më parë, por Pioli pranon se sulmuesi nuk do të jetë në dispozicion as për sfidën e nesërme ndaj Lazios, ndërsa tha se edhe Tomori ka probleme, ndaj në fushë pritet të rikthehet nga minuta e parë kapiteni Romagnoli.
“Ibra ka përmirësuar ndjeshëm mentalitetin dhe mënyrën si stërvitet skuadra, ndaj jam i lumtur që do të jetë këtu edhe sezonin e ardhshëm. Nesër nuk do të jetë me ne ndaj Lazios, ndaj do të luajë Leao ose Mandzukic në majë të sulmit. Në seancën e fundit ka shfaqur probleme fizike edhe Tomori, ndaj mund të jetë radha e Romagnolit të luajë nga minuta e parë”, u shpreh Pioli.



