Pirlo “harron” Veronën, shumë dilema për të zgjidhur para Barçës
Starti i kampionatit nuk është aspak për t’u mbajtur mend për Andrea Pirlon si trajner i Juventusit, sepse pas fitores bindëse në debutim, kanë regjistruar tre barazime radhazi, ku më i fundit erdhi mbrëmjen e djeshme në shtëpi ndaj Veronës.
Megjithatë tekniku i bardhezinjve nuk ka kohë “të qajë”, pasi të mërkurën në mbrëmje në Torino vjen Barcelona për ndeshjen e dytë të grupeve të Ligës së Kampionëve, kompeticion të cilin Juventusi e nisi me një fitore 0-2 në Kiev përballë Dinamos vendase.
Deri të mërkurën Pirlos do t’i duhet të zgjidhë shumë dilema, pasi telashet nuk kanë të sosur për të në këtë fillim sezoni, duke qenë se tashmë janë konfirmuar mungesat e Chiellinit e De Ligt, por është në dyshim edhe Leonardo Bonucci.
Ky i fundit pësoi një dëmtim muskulor mbrëmë ndaj Veronës dhe la fushën e lojës para kohe. Ekzaminimet mjekësore të kryera paraditen e sotme përjashtuan mundësinë e një tërheqjeje, por përfshirja e Bonuccit në formacion ndaj Barçës duket shumë e vështirë momentalisht.
Nëse do të konfirmohet edhe mungesa e tij, atëherë Pirlo do të mbetet vetëm me Demiral në mbrojtje dhe dy të tjerë të sajuar si Frabotta dhe Danilo, ndaj do t’i duhet të mendojë për një tjetër skemë për sfidën ndaj katalanëve.
Edhe mesfusha me Ramsey e Arthur nuk bindi shumë ndaj Veronës, pasi mungonin vertikalizimet, ndërsa Bernardeschi zhgënjeu tërësisht dhe pritet të ulet në stol për sfidën ndaj Barcelonës.
Edhe Dybala u rikthye në formacion, por u pa qartë që nuk ishte në formën e tij më të mirë, ndërsa në sulm pritet të mungojë edhe njeriu “Champions”, eksperti i këtij kompeticioni, Cristiano Ronaldo.



