Pirlo vjen me fshesë në dorë, Juve mendon për largimet!
Ardhja e Andrea Pirlos ka krijuar një atmosferë tepër pozitive tek Juventus. Edhe pse nuk ka drejtuar asnjë ekip më herët, Pirlo ka besimin e të gjithë skuadrës. Krahas skemave dhe ideve që trajneri kërkon t’i japë bardhezinjve i duhet të zgjidhë edhe disa probleme. Ka një listë të atyre lojtarëve që duhen larguar. Të sigurt për t’u larguar janë Higuain i cili mund të kalojë në Major Leagur Soccer. Emra të tjerë janë Bernardeschi e Douglas Costa, ndërsa argjentinasi tjetër Paulo Dybala mund të sakrifikohet për të sponsorizuar merkaton në hyrje, pasi është i vetmi futbollist që mund të sjellë 80-90 milionë euro në arkat e Juves.
Edhe në qendër të mbrojtjes ka shumë pak vend për ndërhyrje, pasi titullarë të konfirmuar janë Bonucci e De Ligt, ndërsa Chiellini e Demiral janë gati t’i zëvendësojnë, ndaj Rugani e Romero vështirë se do të vihen në dispozicion të Pirlos. Në mesfushë, pas Matuidi do të jetë radha e Sami Khedirës që t’u thotë lamtumirë bardhezinjve, ndërsa dyshime ka edhe për të ardhmen e Rabiot e Ramsey, dy futbollistë të ardhur verën e kaluar me parametra zero, por që nuk kanë dhënë aq sa pritej te Juventus. Drejtuesit e Zonjës së Vjetër synojnë që me të ardhurat që do të krijohen nga shitja e disa futbollistëve të ndërhynë në merkato në mënyrë që Andrea Pirlo të ketë një skuadër të kompletuar për sezonin e ri.



