Pjanic i rikthehet eksperiencës me Barcelonën: Nuk e prisja në atë gjendje!
Miralem Pjanic u zyrtarizua para pak ditëve tek klubi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Sharjah. Futbollisti boshnjak mbylli një eksperiencë zhgënjyese me Barcelonën, klub që u transferua në verën e vitit 2020 nga Juventus.
Pritshmëritë e Pjanic për aventurën spanjolle ishin shumë të larta megjithatë palët duket se u bashkuan në një moment të gabuar. Vetë mesfushori në një intervistë të fundit thekson se nuk e priste që katalanasit të ishin në një gjendje aq të rënduar sportivisht.
“Mendoja se ishte zgjedhja e duhur për t’u transferuar te Barcelona, por të them të drejtën nuk e dija si ishte situata në klubin katalanas. Ishte shumë e komplikuar dhe as nuk e kisha menduar të gjendesha në një vështirësi të tillë. Nuk e shpresoja kurrë”, u shpreh Pjanic që në fund komentoi edhe paraqitjet zhgënjyese të Juventusit, ish-klubit të tij, duke u shprehur se nuk mund të jetë vetëm faji i Allegrit.



