Roma rikthehet te fitorja, kalon pa probleme Spalin
Roma është rikthyer te fitorja, duke mposhtur pa probleme SPAL-in, me rezultatin 3-1. Verdhekuqtë dominuan takimin dhe të ndihmuar edhe nga kartoni i kuq i mbrojtësit mik, Felipe, që në minutën e 9’, arritën të marrin 3-pikëshin.
Verdhekuqtë vinin në këtë takim pas barazimit 1-1 në transfertën me Genoan dhe u hodhën menjëherë në sulm, në kërkim të fitores. Gjërat u bënë edhe më të lehta në minutën e 9’ ,pasi SPAL mbeti me 10 futbollistë.
Mbrojtësi brazilian Felipe shkaktoi faull ndaj Dzekos, duke qenë lojtari I fundit dhe pasi u konsultua me VAR-in, gjyqtari akordoi kartonin e kuq ndaj tij.
Verdhekuqtë gjetën avantazhin vetëm në minutën e 19’, me anë të golshënuesit kryesor, boshnjakut Edin Dzeko, që shfrytëzoi më së miri një asist të El Sharawi-t.
Në minutën e 32-të, skuadra e Di Francescos shënoi edhe golin e dytë, me anë të mesfushorit holandez, Kevin Strootman, pas një rrëmuje në zonën e SPAL-it.
Me epërsinë numerike dhe me avantazhin e 2 golave, verdhekuqve u duhet vetëm të menaxhojnë rezultatin, për të shtuar edhe 3 pikë në tabelën e renditjes.
Në pjesën e dytë, ishte pikërisht mesfushori i ardhur këtë verë, Pellegrini, që shënoi golin e 3-të për Romën, pas nëj krosimi të mbrojtësit Kolarov. Vetëm 2 minuta më pas, SPAL fitoi një 11-metërsh, të cilin e ekzekutoi Viviani. Portieri Alison grushtoi topin dhe e dërgoi në traversë, por më pas Viviani e shtyu në rrjetë, duke shënuar golin e vetëm të SPAL-it.
Pas kësaj fitoreje, Roma shkoi në kuotën e 34 pikëve, po aq sa ka edhe Juventusi i vendit të 3-të, që do të luajë pas pak në ‘San Paolo’, përballë Napolit.



