Kategoria Superiore

Plaku “var këpucët në gozhdë”: Korça stacioni më i bukur i karrierës, më pret një eksperiencë e re

Pas plot 19 vitesh karrierë si profesionist, gjatë të cilave ka veshur fanellën e plot 17 skuadrave në Shqipëri dhe jashtë, Sebino Plaku vendosi të “varë këpucët në gozhdë” në moshën 37-vjeçare, pikërisht në sfidën e fundit të sezonit mes Skënderbeut dhe Teutës.

Një tufë me lule dhe një fanellë e klubit të Skënderbeut, ishin dhurata e korçarëve për sulmuesin kryeqytetas, që periudhën më të mirë të karrierës së tij e ka pasur pikërisht te korçarët. Menjëherë pas ndeshjes, sulmuesi ndau emocionet e mbylljes së karrierës së futbollist me SuperSport, në një intervistë ekskluzive.

Skënderbeu ka qenë një nga stacionet më të bukura të karrierës tuaj. A mbetët i befasuar nga pritja që ju bënë sot?
E vërtetë. I falënderoj, sepse ishte diçka e paparashikuar. Nuk kisha pritshmëri, por ishte një surprizë shumë e bukur, ndaj i falënderoj. Ishte një tufë lule dhe një fanellë e klubit ku unë kam qëndruar për shumë vite, diçka shumë e bukur.

A mendoni se ishte momenti i duhur për t’u ndalur?
Të them të drejtën asnjëherë nuk e kam gjetur momentin e duhur për të ndalur, por situata erdhi në mënyrë të atillë, që të vendos ta mbyll me futbollin e luajtur, pasi më pret diçka tjetër. Për fat ndalesa erdhi në Korçë, një qytet ku kam qëndruar shumë gjatë dhe kam kaluar shumë mirë.

Cila ka qenë pika më kulmore e karrierës tuaj?
Unë vazhdoj të jem i emocionuar dhe mendoj që te Skënderbeu jam ndjerë më mirë, pasi kam ndenjur më gjatë dhe kam pasur shumë suksese. Vetë koha e gjatë e qëndrimit, tregon se kam qëndruar gjatë.

A ka një Sebino Plaku tjetër në Abissnet Superiore?
Futbolli ka ndryshuar, por secili ka pjesën e tij individuale dhe duhet të mendoj për këtë pyetje. Megjithatë uroj që të ketë edhe të tjerë me një karrierë si unë.

Çfarë ju pret pas kësaj karriere si futbollist?
Nuk është aspak sekret, pasi të gjithë eksperiencën që kam grumbulluar ndër vite, duhet ta ushtroj diku. Do të mbetem në këtë sport, por jo më si futbollist aktiv

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency