‘Plas’ te Luftëtari, gjoba dhe pezullime për të padisiplinuarit
Humbja në shtëpi ndaj Kamzës, nuk është pritur aspak mirë nga gjirokastritët, por më shqetësuese ka qenë sjellja e disa futbollistëve të ‘bluzinjve’. Kështu drejtuesit e Luftëtarit janë irrituar me veprimin e portierit Festim Miraka, që goditi me grusht Raçiçin në fund të takimit dhe la ekipin me 10 futbollistë.
Por sjellja e gabuar e Mirakës vijoi edhe në dhomat e zhveshjes, me sjellje të dhunshme ndaj disa shokëve të ekipit dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë vendosur të gjobitin dhe pezullojnë pa afat portierin elbasanas.
Gjobës dhe pezullimit nuk i ka shpëtuar as futbollisti Fabrizio Nunes, i cili ofendoi trajnerin, pasi nuk priti mirë zëvendësimin. Lajmi për gjobitjen dhe pezullimin pa afat të dy futbollistëve, u bë i ditur nga faqja zyrtare e Luftëtarit në rrjetin social Facebook.




