Plori i përgjigjet Longos: Episodi me Partizanin duhet të na bëjë më të fortë, arbitrat ndikojnë në rezultat
Trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme ndaj Kastriotit. Tekniku i shkodranëve theksoi se episodi i golit të anuluar ndaj Partizanit duhet t’i shërbejë skuadrës si pikë motivimi, ndërsa pati edhe një replikë ndaj komentit të trajnerit të Kukësit, Diego Longo.
Jeni të qetë pas asaj zhurme që krijoi ndeshja me Partizanin në Kupë? “Normalisht jemi të qetë, por ndeshjet e kampionatit ndryshojnë nga ato të Kupës dhe duhet t’i ndajmë. Lojtarët që kanë pasur dëmtime janë afruar në skuadër dhe gjendja fizike e tyre është në rritje, kjo na jep qetësi dhe na bën optimistë”.
Ka qenë e vështirë për të rikthyer entuziazmin? “Po, ka qenë pak e vështirë sepse nuk është hera e parë kur skuadra jonë merr goditje, sidomos edhe pas humbjes së klasikes me Tiranën. Ishte ajo ndeshje dhe më pas erdhi ndeshja me Egnatian në një moment të vështirë, por them se jemi në rrugën e duhur dhe skuadra duket entuziaste”.
Ndeshja me Kastriotin- “Është një ndeshje që duhet vlerësuar sepse Kastrioti është mirë dhe në katër javët e fundit nuk ka pësuar humbje, është rritur në lojë. Edhe lojtarët e kanë analizuar ndeshjen dhe ajo nuk është skuadër e lehtë. Por, me entuzazëm duhet të marrim pikët. Gurishta ende nuk është gati për të filluar nga minuta e parë, në seancën e fundit ka qenë me grupin. Por, nuk kemi dashur ta rrezikojmë dhe javën tjetër do të jetë pjesë e skuadrës”.
Keni informacion për ankesën e drejtuesve për arbitrat? “Jam munduar të punoj për të qetësuar sportistët dhe të mos e mbajmë mendjen te episodet të cilat janë të qarta, por lojtarët duhet të jenë profesionistë dhe ajo ndeshje me Partizanin duhet të shërbejë si motivim. Ai gol i anuluar ndaj Partizanit nuk duhet të na fusë në pesimizëm, por duhet të japë efekt të kundërt dhe të bëhemi optimistë, të bëhemi më të fortë dhe të jemi më të lidhur njëri me tjetrin”.
Kanë ndikuar arbitrat që Vllaznia të mos luftojë dot për titull? “Besoj se po se ka pasur shumë raste që arbitrat kanë gabuar dhe kanë ndikuar në rezultat. Gjithsesi, edhe ne kemi pasur gabime dhe duhet të punojmë për të marrë maksimumin”.
A mendoni se mund të ketë gabime arbitrare edhe ndaj Kastriotit? “Unë jam trajneri dhe në fund duhet të bëj detyrën, nuk mendoj tërheqjen se ne jemi profesionista dhe kam lojtarë të cilët duhet t’i motivojë”.
Trajneri i Kukësit, Longo është shprehur se nuk ka frikë nga Vllaznia se mund t’i marrë vendin e tretë- “E përgëzoj për punën që ka bërë te Kukësi, por nuk dua të komentoj të tjerët dhe duhet vetëm të jemi të përqëndruar vetëm te vetja jonë”, u shpreh Plori.



