Plori: Kam pretendimet e mia për penalltinë, objektivi ynë është kampionati
Besëlidhja ishte skuadra surprizë në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi eliminoi në fazën e 1/8-ave Partizanin kampion në fuqi, por lezhjanët nuk arritën të përsërisin të njëjtin sukses edhe sot përballë Tiranës.
Trajneri shkodran Elvis Plori, në intervistën e dhënë për Supersport, deklaroi se në rezultatin e ndeshjes së sotme kishte ndikuar edhe diferenca fizike mes lojtarëve të dy skuadrave, ndërsa shfaqi pretendime edhe për 11-metërshin e dhënë për Tiranën.
Ndryshe nga përballja me Partizanin, këtë herë pësuat një humbje të thellë. Çfarë ndodhi sot?
Mendoj se e nisëm mirë ndeshjen dhe kaluam të parët në avantazh, por më pas erdhi ajo penallti, për të cilën kam pretendimet e mia dhe ndikoi jo pak në ecurinë e lojës. Ne jemi një skuadër e vogël, që vijmë nga një kategori më poshtë dhe episode të tilla ndikojnë.
Luajtët shumë mirë në pjesën e parë, por nuk bëtë të njëjtën gjë të të dytën…
Për ta thënë edhe pak me humor, lojtarët e Besëlidhjes e kanë respektuar në maksimum karantinën dhe kjo u pa sot në fushë, pasi ramë fizikisht në pjesën e dytë. Gjithsesi objektivi ynë është kampionati dhe sot e pamë më shumë si një mundësi për të marrë më shumë minuta dhe për të qenë gati për ndeshjet e ardhshme në Kategorinë e Parë.



