Kategoria Superiore

Plori, në kërkim të fitores së parë/ Vllaznia mund t’i japë goditjen e fundit Skënderbeut

Shtatë ndeshje pa fitore, me suksesin e fundit ne fillimin e muajit mars, Vllaznia dhe Plori do të kërkojnë fitoren e parë në kampionat në këtë fundjavë përballë skuadrës që renditet në vendin e fundit, Skënderbeu-t.

Në “Loro Boriçi”, shkodranët nisen me misionin e vetëm, fitoren, ndaj një kundërshtari që pothuajse është i dorëzuar në këtë pikë të sezonit. Ecuria e gjatë pa fitore e ka zanafillën nga barazimi pa gola me Kukësi-n, kohë kur skuadra drejtohej nga gjermani Thomas Brdaric. Trajneri aktual, Elvis Plori ende nuk ka shijuar suksesin e parë në kampionat, pas zyrtarizimit të tij në stol, teksa numëron 5 ndeshje, me tre barazime dhe dy humbje, ecuri e cila ka ndikuar edhe në renditje, pasi Vllaznia është forcë e pestë në kampionat.

Në total, Plori deri më tani ka drejtuar skuadrën në 7 takime, përfshirë këtu edhe dy sfidat e fazës gjysmëfinale në Kupë ndaj Partizanit dhe të vetmin sukses e ka arritur ndaj kryeqytetasve që solli edhe kualifikimin në finale. Gjithsesi, një sukses i tillë, pavarësisht rëndësisë dhe përmasave nuk është i mjaftueshëm për shkodranët dhe Plorin, që tani janë “të dënuar” për të bërë kthesën edhe në “Abissnet Superiore”.

Kalendari është në favorin e Vllaznisë, pas dere qëndron Skënderbeu dhe Dinamo, dy skuadrat që mbyllin klasifikimin dhe shkodranët mund t’u japin goditjen e fundit. Skuadra e Plorit do të kërkojë të shfrytëzojë në maksimum kalendarin për të ngjitur shkallë në klasifikim, pasi Partizani, në letër ka një kalendar më të vështirë (Partizani – Dinamo, Kukësi – Partizani).

Java e 31-të mund të jetë edhe përcaktuese për fatet e korçarëve, të cilët nëse dalin pa pikë nga Shkodra dhe Egnatia fiton ndaj Kastriotit, atëherë Skënderbeu është matematikisht në Kategorinë e Parë.

Gjithsesi mbetet për t’u parë nëse Vllaznia do të jetë në gjendje të bëjë bashkë dy fitore radhazi, diçka e tillë nuk ndodh që nga dhjetori i vitit kaluar, kohë kur shkodranët triumfonin ndaj Partizani-t dhe Skënderbeu-t.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency