Plori: Nuk kemi autoritet, vuajmë finalizimet
Trajneri shkodran i Kastriotit dha një intervistë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku foli për situatën aspak të mirë që po kalon skuadra e tij, e cila sot u mposht 4-0 nga Flamurtari.
Paraqitje aspak e mirë sot..
Pësuam 4 gola, dhe patëm një disfatë të rëndë. E filluam ndeshjen mirë, qarkullojmë topin, por kur na jepet një mundësi, nuk e shfrytëzojmë. Më pas, një mundësi e vogël për kundërshtarët dhe ata shënojnë. Çalojmë në mbrojtje shumë. Mund të ndryshonte ndeshja me pritjen e portierit të Flamurtarit, apo me rastin që humbi Marku. Skuadra nuk kishte më motiv në pjesën e dytë, ndaj reagimi ishte i dobët.
Nuk po merrni atë që po kërkoni nga kjo skuadër…
Po kërkoj më tepër autoritet te skuadra në pjesën përpara. Aty po bëj edhe eksperimente. Roxher dhe Gajeho treguan se kanë vlerë, por jo me finalizimin e duhur. Në mesin e fushës, skuadra po mundohet të ndërtojë, por nuk kemi liderin që të japë pasimin për te goli.
Do jetë kaq e vështirë pjesa e parë e sezonit, deri te merkato?
Kjo është frika jonë më e madhe, fakti që nuk jemi të njëjtë nga ndeshja në ndeshje, nuk është e mirë. Vazhdojmë shumë të çalojmë në mbrojtje.



