Pochetino “ankohet” për jetën në Paris: Duhet të kënaq Mbappe, Messi dhe Neymar njëkohësisht
Drejtuesit e PSG në këtë sezon vendosën ta mbushnin ekipin me yje duke afruar në merkato emra si Messi, Ramos, Donnaruma, Hakimi apo Wijnaldum, ndërsa pjesë e organikës janë edhe Di Maria, Neymar, Verrati etj… Thënë shkurt një “Dream Team”, teksa çdokush do të dëshironte të paktën për një ditë të ishte në vendin e trajnerit Mauricio Pochetino. Megjithatë, pavarësisht perceptimit, jeta në Paris për teknikun argjentinas nuk është e lehtë dhe këtë e ka konfirmuar vetë 49-vjeçari. Mes presionit për të fituar me çdo kusht dhe bashkëjetesës së yjeve, Pochetino për Sportsmail rrëfen se opinioni e sheh si detyrim që PSG të triumfojë në Europë, por përballë janë kundërshtarë të mëdhenj.
Zëvendësimi i Messit kur ekipi ishte në disavantazh ndaj Lille- “Kjo është një sfidë, kur ke në organikë një lojtar të tillë nuk është e lehtë, por ne trajnerët nuk duhet të shohim emrat. Kur duhet të marr një vendim mbi lojtarin nuk më intereson nëse është emër i madh apo jo. E di që më pas do të jetë media e cila do ta bëjë të madhe, por prioriteti jonë si trajnerë është të mos ndryshojmë.

Ndonjëherë duhet të marrësh një vendim edhe pse kjo nuk do t’i bëjë njerëzit e lumtur sepse ata kanë pritshmëri të tjera. Por, kjo është puna jonë. Kur je trajner e di se do të vijnë ditë të tilla, por për ne është një sfidë e mrekullueshme”.
Bashkëjetesa e Mbappe, Messi dhe Neymar- “Të tre mund të jenë “mbretër” në çdo lloj klubi të botës, por këtu janë të tre bashkë “mbretër” dhe kanë nevoja të ndryshme. Mbappe ka nevojë për hapësirë për të vrapuar, Neymar ka nevojë të jetë në kontroll të topit dhe ta luajë atë. Ndërkohë, Messi ka një ritëm tjetër të lojës, nuk është e lehtë t’i bësh bashkë.

Ndaj, po punojmë të gjejmë mënyrën e duhur për të luajtur që të tre të ndihen komod. Por, në të njëjtën kohë edhe pjesa tjetër e skuadrës të kuptojë idetë. Kjo është një sfidë e mrekullueshme dhe ne po e shijojmë shumë. Për ne si staf është diçka shumë e bukur të punojmë me lojtarë të tillë. I dimë shumë mirë kërkesat dhe pritshmëritë”.
Pritshmëritë për sukses në Champions League- “Të them të drejtën nuk ndihej presion te Sauthhampton, Tottenham apo Espanyol. Këtu ka shumë pritshmëri, ky sezon është masiv. Të gjithë mendojnë se ne duhet t’i fitojmë ndeshjet para se t’i luajmë ato. Kur sapo ke nisur lojën dhe nuk ke shënuar dy, tre, katër apo pesë gola, zhgënjimi është i madh. Ndjesia është për të fituar Champions League dhe nëse nuk ia del atëherë e di që do ta quajnë një dështim. Për ne është ndryshe dhe nuk bëjmë drama. E dimë që kemi diçka speciale, kemi talent dhe ky talent duhet të vendoset në punë. Ne jemi të aftë dhe nëse lojtarët janë të përqendruar mund ta fitojmë Champions League, por në garë janë edhe Chelsea, Real Madrid, Manchester United, City, Bayern, Liverpool. Të gjitha këto ekipe janë ndërtuar për të fituar”, u shpreh Pochetino.



