Pogba, Botërori është një mirazh, duhet një mrekulli!
Max Allegri ishte i qartë të hënën, para ndeshjes me PSG-në. “Pogbanë do ta rishohim në janar”, mesazh ky i destinuar për tifozët e Juventusit, teksa së fundmi i takoi Hugo Llorisit, kapiten i Francës, që të përgatisë terrenin edhe për tifozët e kampionëve të Botës. “Mundësitë për ta parë Pogbanë në Botëror janë të kompromentuara”, pranoi portieri.
Me pak fjalë, duke përjashtuar ndonjë “mrekulli”, Pogba nuk do të jetë në Katar. Një goditje e fortë kjo për Didier Deschamps, e disata, duke qenë se trajneri duhet të menaxhojë edhe dëmtimin e Benzemasë, si dhe çështjen “Griezman”, lojtar stoli tek Atletico e Madridit.
Pogba vendosi të operohej të hënën, pasi gjuri iu bllokua në stërvitje. Zgjedhje kjo që prishi humorin e drejtuesve të Juventusit, që kishin sugjeruar operacionin që muajin e kaluar, kur pas kontrolleve mjekësore ndërhyrja kirurgjikale dukej rruga më e mirë për të zgjidhur problemin. Pogba preferoi një tjetër rrugë dhe tani situata është komplikuar, aq sa dhe Lloris, portieri i Tottenhamit të hedhë idenë e një mungese të tijën në Botërorin që fillon në nëntor.
Nëse gjithçka do të shkojë në mënyrën më të mirë, Pogba nuk mund të kthehet para ditëve të para të nëntorit dhe natyrisht jo në gjendje optimale për të luajtur, me Kupën e Botës që nis në 20 nëntor.



