Policia njofton planin e masave për derbin e kryeqytetit: Tifozët të pajisen me mjet identifikimi!
Në orën 19:45 në stadiumin Air Albania, vëmendja do të jetë e gjitha për derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës. Si gjithnjë interesimi për derbin është shumë i lartë dhe pritet që tribunat e impiantit më modern në vend të jenë të tejmbushura. Sakaq, policia e shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e sfidës para dhe pas saj, teksa në një njoftim të fundit bëhet e ditur se tifozët nuk do të lejohen të futen në stadium pa mjet identifikimi.
Njoftimi i Policisë:
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga “Lek Dukagjini” përreth stadiumit, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë:
– Lëvizja e tifozëve të Tiranës: Nga Teatri i Operas dhe Baletit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Bajram Curri”, Rruga e Elbasanit, rruga “Dervish Hima” – stadiumi.
– Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Gjergj Filipi” – stadiumi.
Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.
Gjithashtu, nuk do të lejohen të futen në stadium të gjithë ata tifozë të cilët në aktivitete të ndryshme sportive janë të identifikuar nga Policia, si tifozë problematikë.
Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.
Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozeritë e dy skuadrave që të zbatojnë rregullat dhe ligjin.



