Ponari: Konstantinides të respektojë kontratën
Basketbolli shqiptar nuk po kalon një moment të mirë, teksa paraqitjes së dobët të kombëtares kuqezi në paraeleminatoret e botërorit 2019 iu shtuan edhe akuzat e trajnerit Antonis Konstantinides për mungesë organizimi. Qiprioti ka akuzuar se përvec trajnerit i është dashur të bëjë edhe rolin e masazhatorit apo dhe shoferit të taksisë, akuza të rënda këto në drejtim të federatës shqiptare të basketbollit. Presidenti i këtij institucioni Avni Ponari ka bërë të ditur se trajneri nuk ka bërë asgjë më shumë sesa detyra e tij.
“Duhet të theksoj se trajneri ka bërë vetëm detyrën e tij, asgjë më shumë nga ato që pretendon. Sigurisht që në vitin e dytë të punës së tij ka patur më shumë probleme dhe kjo lidhet me sjelljen e sportistëve. Megjithatë ne kemi folur dhe unë pres që ai të respektojë kontratën deri në fund të 2017. Përsa i përket faktit që nuk e duam kombëtaren ka të drejtë pasi pjesëmarja e tifozëve në pallatin e sportit ka qënë e pakët në përkrahje të ekipit.”
Sigurisht që problemet në sportin e basketbollit janë të mëdha, dhe gjithcka lidhet me mungesën e financave që duhet të japë shteti për këtë sport. Ponari bën një krahasim të situatës me basketbollin në Kosovë, ku i bën thirrje shtetin të kthejë vëmendjen me investime konkrete në cdo fushë të sportit.
“Sigurisht që nuk mund të flasësh për basketboll kur ne si federatë e kemi grandin vjetor 80 mijë euro, ndërkohë që vetëm ekipi i Sigal Prishtinës ka buxhetin vjetor 800 mijë euro. Në Kosova 30% e taksave shkojnë për sportin ndërkohë që këtu cdo qeveri nuk ka menduar aspak për sportet e tjera përvec futbollit.”



