Portieri Kuka vendos të largohet nga Kastrioti
Mund të konsiderohet e mbyllur aventura e Klajdi Kukës te Kastrioti. Portieri titullar i kësaj skuadre nuk do të vijojë më të jetë pjesë e krutanëve. Marrëdhënia e ftohtë mes 28-vjeçarit dhe drejtueve të klubit ka provokuar “divorcin” mes palëve.
Nuk ka pasur asnjë debat, por shkëputja e marrëveshjes ka ardhur me mirëkuptim dhe përjashto ndonjë ndryshim të papritur të kursit në momentin e fundit, Kuka nuk do të veshë më fanellën e Kastriotit të paktën për këtë sezon.
Tiranasi iu bashkua krutanëve në Korrik të vitit 2017 dhe ishte një ndër pikat më të forta në rrugëtimin e Kastriotit në Kategorinë e Parë, rrugëtim që u mbyll me realizimin e objektivi madhor, ngjitjen në Superiore. Në të shkuarën, përveçse te Tirana, klub ku u rrit si futbollist, Kuka ka kontribuar edhe për Tomorin e Tërbunin, teksa për një periudhë kohë u aktivizua në ligat inferiore në Gjermani. Në këtë mënyrë trajneri i sapoemëruar Stavri Nica do të jetë i detyruar të aktivizojë nga minuta e parë portierin 18-vjeçar Bruno Puja, i cili në këtë sezon ka luajtur në takimet ndaj Teutës dhe Tiranës.



