Porto shumë pranë rekordit të ri, por mbetet me të njëjtën shifër si Milani
Një gol i Horta në minutën e 54-t i ka dhënë fitoren Bragës me rezultatin minimal ndaj Portos në kampionatin portugez dhe në të njëjtën kohë, u ka hequr këtyre të fundit mundësinë e vendosjes së një rekordi historik.
Klubi i Portos kishte 58 ndeshje pa humbje në kampionatin portugez, me skuadrën e Sergio Conceicaos që disfatën e fundit e ka regjistruar në tetor të vitit 2020.
Një javë më parë, më 16 prill Porto triumfoi me rezultatin e thellë 7-0 ndaj Portimonenses dhe barazoi rekordin e Milanit me 58 ndeshje pa humbje në kampionat, teksa këtë javë ishte shumë pranë vendosjes së një rekordi të ri.
Megjithatë pavarësisht humbjes, skuadra e Portos kryeson kampionatin me 6 pikë më tepër sse Sportingu i Lisbonës, kur kanë mbetur edhe tre javë për t’u luajtur deri në fund dhe ka nevojë vetëm për një fitore që të festojë edhe matematikisht.
Vlen të theksohet se rekordin me 58 ndeshje pa humbje e kishte vendosur Milani, duke nisur nga barazimi pa gola ndaj Parmës më 26 maj të 1991-shit, me Arrigo Sachin në pankinë, deri te humbja po ndaj emilianëve me rezultatin 0-1 në “San Siro”, në prill të 1993-shit, me trajner Fabio Capellon.



