Portugezi Vitor Pereira është “basti” i pronarit të Evertonit
Pronari i Evertonit, Farhad Moshiri, është gati të emërojë Vitor Pereiran si trajnerin e ri të skuadrës pas shkarkimit të Rafael Benitezit. Portugezi, i cili është pa punë që kur u shkarkua nga Fenerbahçe në dhjetor, mbetet zgjedhja e parë e Moshirit pasi e ka bindur numrin 1 të klubit nga Merseyside në bisedime.
Ish-sulmuesi i Evertonit, Wayne Rooney është gjithashtu në listën e ngushtë së bashku me ish-trajnerin e Chelsea-t, Frank Lampard, por Pereira, 53 vjeç, duket ndjeshëm më i favorizuar. Kontrata fillestare e Pereira, megjithatë, mund të mos zgjasë përtej fundit të këtij sezoni.
Fillimisht u kontaktua trajneri i Belgjikës dhe ish-trajneri i Evertonit, Roberto Martinez, por Federata Belge refuzoi ta lironte në vitin e Kupës së Botës.
Pereira do të jetë një tjetër zgjedhje e diskutueshme, pasi nuk ka pasur ndonjë sukses për t’u shënuar vitet e fundit. Ai fitoi kampionatin në Portugali me Porton në vitet 2012 dhe 2013 dhe më pas në Greqi me Olympiakosin në 2015. Por gjatë periudhës pesëmujore me Mynih 1860 nuk mundi ta shpëtonte skuadrën nga rënia në Bundesligën 2.
Pereira nuk ka përvojë në Premier League, ndaj konsiderohet një zgjedhje me rrezik të lartë.



