Post-Ventura, në Itali të gjithë duan Carlo Ancelotti-n
Pas skualifikimit zhgënjyes në “San Siro”, i gjithë opinoni sportiv në Itali projekton një emër shumë të dashur për stolin e Kombëtares Italiane, pikërisht atë të Carlo Ancelottit. Por rruga që do të conte drejt një po-je nga ana e 58-vjecarit has në disa pengesa të vogla. Sic raporton e përditshmja “La Gazzeta Dello Sport”, vetë tekniku italian nuk do ta refuzonte kurrë rolin e “shpëtimtarit” për kombëtaren e vendit të tij dhe as do ta trajtonte atë si një cështje financiare, edhe pse, duke hipotezuar, një pagë prej 4 milionë eurosh sërish do të ishte një shifër shumë më e vogël nga c’mund të fitonte në stolin e ndonjë klubi europian. Gjithsesi, pengesë mund të jetë fakti se tekniku është i prirur ta vijojë karrierën në Anglisë, ku ka patur sinjale nga Arsenali dhe Chelsea, opsione shumë joshëse për Ancelottin. Sidoqoftë, vështirësia e vërtetë nuk qëndron te trajneri, por tek fakti se për ta ringritur këtë kombëtare njeriut që do të marrë drejtimin e saj do t’i nevojitet një projekt dhe ide të reja.



