“Pranova të ul rrogën prej dashurisë”, sulmuesi rikthehet pas pesë vitesh tek ekipi i zemrës
Alexandre Lacazette është rikthyer në shtëpi. Sulmuesi francez, i cili ishte pjesë e Arsenalit në pesë sezonet e fundit, u transferua si lojtar i lirë te Lyon, klub me të cilin ka firmosur një kontratë 3-vjeçare.
31-vjeçari është një prodhim i klubit francez, me të cilin shënoi 129 gola në 275 ndeshje në të gjitha garat me ekipin e parë të Lyonit. Sulmuesi u shfaq i lumtur për rikthimin tek ekipi i zemrës, ku ndër të tjera tha:
“Për dashurinë e madhe që kam për këtë klub pranova të firmos me një pagë më të ulët. Ky projekt ishte gjëja më e rëndësishme dhe jam i lumtur që rikthehem te Lyoni.
Kthehem pasi kam përfituar eksperiencë, përvojë, jam bërë udhëheqës. Shpresoj se rikthimi im do t’i ndihmojë të gjithë të rifitojnë dashurinë e tyre për Lyonin. Është emocionuese të kthehem këtu”, deklaroi Lacazzette.




