Prapaskenat/ Cristiano Ronaldo mund të ishte i Milanit
Mediat italiane kanë zbuluar sot një prapaskenë mjaft interesante që lidhet me yllin portugez Cristiano Ronaldo, i cili u transferua këtë verë te Juventusi.
Kështu përveç Napolit, të cilit i ishte ofruar portugezi, në garë për shërbimet e CR7-ës ka qenë edhe Milani, madje kuqezinjtë kanë qenë ë parët që kanë studiuar mundësinë për ta sjellë futbollistin në Milano.
Fassone dhe Mirabelli kishin shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me agjentin Jorge Mendes dhe kishin punuar në heshtje për të realizuar këtë transferim të bujshëm që gjatë vitit të kaluar.
Negociatat mbetën të hapura edhe gjatë këtij viti, por në fund, fakti që kuqezinjtë nuk ia dolën të kualifikohen në Champions League dhe problemet e shumta me shoqërinë kineze, bënë që kjo alternativë e merkatos të binte poshtë.
Pikërisht pas këtij momenti Mendes kontaktoi fillimisht Napolin për t’i ofruar portugezin dhe pas refuzimit të De Laurentiis, diskutoi me Marottën, gjatë negociatave për kalimin e Joao Cancelos te Juventusi.
Gjithsesi duhet thënë se edhe me kalimin e Ronaldos te Juventusi, Milani përfitoi disi, pasi arriti të marrë në Milano Gonzalo Higuainin, një bomber që premton gola të shumtë për kuqezinjtë, të cilët kanë vuajtur për numra 9, gjatë sezoneve të shumta.



