Premiera e Wimbledon, vuajnë emrat “BIG”/ Kalon Djokovic e Alcaraz, buzëqesh edhe Raducanu
Ka startuar ditën e hënë një nga turnetë më të rëndësishëm në sportin e tenisit, Wimbledon. Por, premiera e turneut britanik nuk rezultoi të ishte e lehtë për emrat favoritë, edhe pse në fund Novak, Djokovic, Casper Ruud apo Carlos Alcaraz ia dolën të kalonin në raundin e dytë, ashtu siç bëri edhe Emma Raducanu për femra.
Kështu, Nole triumfoi pas katër seteve të luajtura me rezultatin 3-1 ndaj koreano-jugorit, Kwon teksa në një moment të caktuar sfida ishte në ekuilibër 1-1 dhe numri 81 bë botë vendosi në vështirësi serbin. Gjithsesi, eksperienca e Noles, bëri që ndeshja të shkonte në favorin e tij dhe në fund, Djokovic siguroi biletën për në raundin e dytë ku përballë do të ketë australianin, Kokkinakis. Nga ana tjetër, ai që vuajti më së shumti ishte talenti spanjoll, Carlos Alcaraz që triumfoi vetëm pas 4 orë e 14 minutave me rezultatin 3-2 ndaj gjermanit Jan-Lennard Struff.
Në raundin pasardhës, tenisti 19-vjeçar pret fituesin e çiftit Griekspoor-Fognini. Ndërkaq, më të lehtë e pati Casper Ruud që fitoi 3-0 ndaj Ramos, edhe pse norvegjezi dy sete iu desh “tie break” ndërsa triumfoi 7-6, 7-6, 6-2. Në raundin e dytë, numrin gjashtë të botës e pret francezi Humbert. Sakaq, surprizë mund të konsiderohet eliminimi i polakut Hurkacz, (numri 10 në botë), përballë spanjollit Alejandro Davidovich Fokina me rezultatin 3-2.
Sa i takon, tenisit të femrave, bujë bëri rikthimi te suksesi i tenistes së shtëpisë, Emma Raducanu, e cila mposhti me rezultatin 2-0, Uytvanck. 19-vjeçarja, numri 11 në botë në raundin e dytë do të luajë përballë francizes, Caroline Garcia. Kujtojmë se turneun e Wimbledon mund ta ndiqni përmes Supersport, në platformën Digitalb.



