Prenga me grup të plotë, Laçi beson te kualifikimi
Një kualifikim i vështirë, por jo i pamundur për Laçin. Kurbinasit, të paktën në letër, janë e vetmja skuadër shqiptare që ka shanse për të shkuar në raundin tjetër të Europa Leagues.
Përballja kundër Anorthosis nuk do të jetë aspak e thjeshtë për bardhezinjtë, megjithatë goli i realizuar nga Hoxhallari në takimin e parë mund të shërbej shumë në kuadër të sfidës së kthimit, pasi kujtojmë që laçianët u mposhtën 2-1 në Larnaca.
Trajneri Besnik Prenga e ka të plotë grupin e lojtarëve dhe nuk pritet të kryejë ndryshime në krahasim me ndeshjen e parë, pra mbrojtja me 4 lojtarë do të formohet nga Hadroj, Gjoni, Hoxhallari e Sefgjini. Mesfusha do të plotësohet nga treshja Lushkja, Eller e Jonuzi, me Shtubinën e Uzunin në krah të sulmuesit kryesor Vice Kendes.
Në krahun tjetër Anorthosis ka ardhur me idetë e qarta, nuk kërkon të mbrojë fitoren e marrë në Qipro, por do të synojë një tjetër sukses në Laç. Skema që do të përdor tekniku do të jetë e njëjta me Mikelaxen, Rayon e Cissen në mbështetje të qendërsulmuesit Michal Duris.
Laçi do të kërkoj të rishkruaj historinë duke u kualifikuar edhe një herë në raundin e dytë të Europa Leagues, ashtu si bëri më 2015-ën kur eliminoi sllovenët e Rudar Velenjes.
Nëse kalojnë më tej, kurbinasit përfitojnë edhe 240 mijë euro nga UEFA. Përballja mes Laçit dhe Anorthosis do të zhvillohet të enjten në orën 17:00 dhe do të transmetohet live në Supersport.



