Featured

Prestigjiozja AS pret debutim me gol dhe “Siuu” në Bernabeu, reportazh për “emigrantin shqiptar”

Myrto Uzuni ishte një nga surprizat e merkatos së janarit sa i përket lojtarëve të kombëtares shqiptare. Sulmuesi beratas ndërmori hapin më të rëndësishëm të karrierës duke u transferuar nga Ferencvaros, në La Liga te klubi i Granada. Tashmë, në elitën spanjolle 26-vjeçarin e pret një realitet i ri, megjithatë Uzuni ka treguar se me profesionizmin dhe punën e tij, di mirë si të fitojë statusin në një skuadër.

Sakaq, pritshmëritë për Uzunin janë të larta edhe nga shtypi spanjoll teksa prestigjiozja AS i ka kushtuar lojtarit një reportazh, ndërsa presin që Uzuni të debutojë me gol në Bernabeu dhe të festojë në mënyrën e Cristiano Ronaldos që është edhe idhulli i tij. Ndërkaq, spanjollët nuk lenë pa përmendur edhe vështirësitë e Uzunit duke nisur nga emigracioni në Greqi.

“Myrto Uzuni nuk ka pasur një jetë të lehtë, një autodidakt i futbollit që si idhull ka Cristiano Ronaldon dhe që tashmë vjen në La Liga si pjesë e Granadas. Është një bast për Grandën në merkaton dimërore teksa klubi ka shpenzuar tre milionë euro. Uzuni është një lojtar që di të shënojë, ka ambicie dhe Lufton shumë.

Uzuni e arriti famën më datë 25 nëntor të vitit 2020 teksa në Juventus Stadium, shënoi gol me Ferencvaros në një sfidë që vlente për ndeshjet e grupeve në Champions League. Një gol që i dha avantazhin hungarezëve para idhullit të tij, Ronaldo.

Por, Uzunit “nuk iu drodh qerpiku” dhe festoi në mënyrën e portugezit me “Siuuu-n” e famshme. Në fillim, Ronaldo nuk u ndje mirë, por në fund Juventusi fitoi dhe CR7 shënoi gol, ndaj nuk pati vend për mëri. Pas ndeshjes, Uzuni pati mundësinë ta takonte nga afër idhullin e tij dhe të ndërronte fanellën me të. Ky është edhe një nga trofetë më të çmuar për Uzunin.

Shqiptari ka lexuar gjithçka për portugezin, ndërsa jeta e tij vetë nuk ka qenë e lehtë. Iu desh të shndërrohej në një emigrant ilegal në Greqi, ndërsa familja pagoi shumë për t’u transferuar atje. Prindërit e tij punuan fort për ta çuar familjen përpara, por Uzuni si një ilegal nuk mund të luante futboll. Kështu, u kthye në vendin e tij të origjinës dhe në moshën 16-vjeçare nisi të luante futboll në Shqipëri. Edhe kjo ishte një sakrificë e madhe e familjes që la “jetën e re” në Greqi për të mbështetur ëndrrën e djalit të tyre. Megjithatë, sakrifica është shpërblyer teksa Uzuni jeton me futbollin, pasionin e tij.

Ai thotë se Cristiano është frymëzimi i tij, teksa të dielën do të shkelë në fushën e stadiumit Santiago Bernabeu, tempullin ku idhulli i tij u bë një nga më të mëdhenjtë e historisë, ndërsa Uzuni ëndërron që ashtu si Ronaldo, të ketë mundësinë të festojë me “Siuuu”, përmbyll reportazhin e famshmja AS.

Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?


Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency