Busic e Arapi flasin si durrsakë: Te Teuta për ëndrrën titull!
Pak ditë përpara rënies së gongut përfundimtar në merkaton e dimrit, Teuta realizoi me zgjuarësi dy goditje madhore. Tomislav Busic dhe Renato Arapi do të jenë arma plus e “djemve të detit”. 2 futbollistë me përvojë që e kanë dëshmuar më fakte se janë të aftë për të përmirësuar kualitetin e një skuadre. Lëvizja më befasuese ishte ajo e ish kapitenit të Flamurtarit që një ditë pasi zbriti në fushë me vlonjatët për Kupë zyrtarzoi “divorcin”. Kriza finanaciare e kuqezinjve ishte një nga arsyet kryesore se përse kroati vendosi të zhvendosej në një tjetër qytet bregdetar.
Ironi e fatit përballë do të ketë menjëherë skuadrën të cilën e udhëhoqi në fushë këtë mesjavë në Kupë, duke lënë mënjanë ndjenjat personale 32-vjeçari është i gatshëm të kontribuojë për Teutën.
Të zgjedhësh kaq shpejt mes së shkuarës dhe të tashmes nuk duhet të jetë e thjeshtë, megjithatë Busic i ka ndryshuar tanimë ngjyrat e zemrës.
Ndërkohë që zemrën blu e ka pasur që në fëmijëri Renato Arapi dhe më në fund pas një kalvari të gjatë do të luftojë për herë të parë për skuadrën me të cilën ka qënë gjithnjë tifoz.
Titulli është ëndrra e madhe e Teutës, Arapi që në karrierë ka fituar 6 tituj kampion radhazi me Skënderbeun është njeriu më i përshtashëm për t’i treguar rrugën e triumfit ” djemve të detit”.
Një urim në fund nuk i bën dëm askujt.



