Prishtina fiton me vuajtje në Gjilan, Llapi me “5 yje” merr vendin e dytë
Ka mjaftuar një gol i Pefqelit në minutën e 90’ të takimit ndaj Gjilanit në transfertë, që Prishtina të shkëputet e vetme në krye të tabelës së renditjes, me 65 pikë, në pritje të ndeshjes së Feronikelit nesër.
Kryeqytetasit zhvilluan një 90-minutësh të mirë në Gjilan, përballë skuadrës së drejtuar nga Gentjan Mezani, por vuajtën jo pak për të gjetur golin e fitores, që erdhi vetëm pak sekonda para se arbitri të sinjalizonte fundin e ndeshjes.
Një fitore 0-2 në transfertën ndaj Drenicës, mori edhe Llapi, që zhbllokoi rezultatin me anë të Mentor Zhdrellës në minutën e 54-t dhe më pas dyfishoi me Jonuzin në minutat shtesë të takimit.
Skuadra nga Podujeva regjistroi suksesin e pestë radhazi në kampionat dhe të 9-in në 10 takimet e fundit, rezultate këto që e ngjitën përkohësisht në vendin e dytë të renditjes, në kuotën e 63 pikëve.



