Lajme

Prishtina-Gjilani do luhet më 2 shtator në “Fadil Vokrri”, shërben edhe si ndeshje testuese

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  të Kosovës përmes një komunikate për mediat kërkon të sqarojë opinionin publik për çështjen e stadiumit “Fadil Vokrri” dhe moszhvillimit të ndeshjes mes Prishtinës dhe Gjilanit.

Ministria e Sportit, investitori kryesor në këtë projekt, ndërsa thotë se ky projekt konsiderohet i papërfunduar dhe sipas të dhënave të organit mbikëqyrës do të pranohet teknikisht vetëm pas raportit përfundimtar të UEFA-s.

“Pas pranimit të këtij raporti, palët e përfshira në këtë proces (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Ambientit, Komuna e Prishtinës, Federata e Futbollit të Kosovës dhe punëkryesi) do të fillojnë procedurat e pranimit teknik të stadiumit. Siç dihet, para disa ditësh është zhvilluar ndeshja e parë testuese mes Prishtinës dhe Dritës për Superkupën e Kosovës, ndeshje kjo e organizuar nga ana FFK-së e cila është monitoruar nga ana e zyrtarëve të UEFA-s”, – thotë MKRS.

MKRS-ja shton se pritshmëritë janë që zyrtarët e UEFA-s të japin miratimin për plotësimin e kritereve si stadium i kategorisë IV, andaj ky është një lajm pozitiv për institucionet, sportin dhe sportdashësit, sepse Kosova përfundimisht për herë të parë do t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin e rinovuar, i cili mbanë emrin e legjendës së futbollit Fadil Vokrri.

Stadiumi do t’i dorëzohet Komunës së Prishtinës si pronare, e cila pastaj do të vendosë për të gjitha procedurat e menaxhimit, kujdesin, por edhe mënyrën e shfrytëzimit të tij.

“Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se pas takimit të sotëm midis ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, palët janë pajtuar që ndeshja kampionale mes Prishtinës dhe Drenicës të luhet më 2 shtator, në Stadiumin “Fadil Vokrri”. Kjo ndeshje do të shërbejë edhe si lojë e dytë testuese para lojës që do ta zhvillojë përfaqësuesja e Kosovës për Nations League”, – shkruhet në komunikatë.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency