Problemet me shëndetin s’e lënë të qetë, Pele përfundon përsëri në spital
Pele ka përfunduar përsëri në spital. Legjenda braziliane e futbollit po vuan prej kohësh nga sëmundja e keqe në zorrën e trashë dhe ditën e hënë është shtruar në një nga spitalet e Sao Paulos.
AFP raporton se situata shëndetësore e 81-vjeçarit është e mirë dhe e qëndrueshme, dhe në ditët e ardhshme do të lërë spitalin për t’u rikthyer në shtëpinë e tij.
I konsideruar nga shumë tifozë si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave, Pele është lojtari i vetëm në histori që ka fituar tre Kupa Bote me Brazilin e tij (1958, 1962 dhe 1970).
“Mbreti” u diagnostikua me tumor në zorrën e trashë në muajin shtator dhe njëherë në muaj shkon në spital për t’iu nënshtruar kontrolleve dhe për të vazhduar kimioterapinë.



