Progni: Do të kem punë me Bushic-Alves, por fiton Partizani!
Gerhard Progni parashikon një përballje të vështirë ndaj Flamurtarit në “Selman Stërmasi”, por është i bindur në suksesin e Partizanit, që duket se ka gjetur ritmin e duhur pas atij starti negativ të sezonit. 30-vjecari thekson se për “të kuqtë” cdo rezultat tjetër përvec fitores nuk do të ishte i kënaqshëm.
Në këtë kampionat, kundërshtarët duhet të vlerësohen të gjithë njësoj. Flamurtari ka një ekip shumë të mirë, sidomos në fazën e sulmit. Ne do të bëjmë lojën tonë dhe kam shumë besim që do të marrin rezultat pozitiv. Luajmë në fushën tonë dhe duhet të marrim patjetër 3 pikët, nuk na lejohet më asnjë gabim. Personalisht do të kem shumë punë, sepse do të kem përballë Alveshin dhe Bushicin.
Iuliano ka preferuar ta aktivizojë më të tërhequr në ndeshjet e fundit, vendim që është refketuar edhe te rezultatet pozitive.
Të them të drejtën, e mendoja më të vështirë pozicion tim të ri, por skuadra në këto ndeshjet e fundit ka pësuar vetëm një herë. Një mesfushor krahu nuk e ka shumë të vështirë të bëjë rolin e mbrojtësit të krahut. Patëm një start të keq, që nuk e kishim menduar, por, kur ke shumë prurje në ekip, kjo është normale. Edhe trajneri është i ri dhe sigurisht që do ta kishte pak të vështirë ta kuptonte mentalitetin e kampionatit shqiptar dhe forcën që ka.
Kur pyetet si një ish i Flamurtarit, Progni shprehet se i ka munguar vetëm titulli kampion gjatë eksperiencës vlonjate.
Të Flamurtari kam kaluar tre vite të kënaqshme, por nuk arrita të shijoj titullin. Të them të vërtetën, nuk kam ndonjë emocion të vecantë, që përballem me ish-ekipin tim.



