Progni mban Gjilanin në krye, fiton edhe Drita, Feronikeli në krizë
Gjilani triumfon me përmbysje në transfertën ndaj Ulpianës dhe ruan kryesimin në Superligën e Kosovës me 25 pikë të grumbulluara pas 14 javëve të para. Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi, e mbylli pjesën e parë në disavantazh, pasi Ulpiana shënoi me Qerimin në minutën e 23-të.
Megjithatë pjesa e dytë foli për gjilanasit, që rikthyen baraspeshën në minutën e 65-të me anë të Dabiqajt dhe më pas shënuan edhe golin me vlerë 3-pikëshe, me anë të sulmuesit Gerhard Progni.
Po në të njëjtin ritëm ecën edhe skuadra tjetër e Gjilanit, Drita, që ia doli të triumfojë me rezultatin minimal 1-0 ndaj Drenicës në shtëpi. Një gol i maqedonasit Marko Simonovski vulosi suksesin e Dritës, që gjithashtu ka grumbulluar 25 pikë, por pozicionohet e dyta.
Vijon të zhgënjejë Feronikeli, që pësoi humbjen e 10 sezonale në 14 ndeshje. Skuadra nga Drenasi dukej se po dilte me një pikë përballë Malishevës, por pësoi një gol në minutën e tretë shtesë që e lë në fund të renditjes me 10 pikë të grumbulluara në 14 javë.



