Projektohet pushimi dyjavor dimëror në kampionatin anglez
Për herë të parë edhe Premier League pritet të implementojë në kalendar pushimin dimëror. Kampionat anglez ka mbetur ndër të vetmit nw ligat europaine që nuk ndalon kurrë, madje as në javët më të ftohta të dimrit. Tashmë Premier League kërkon të marrë trajtën e Ligës së Parë franceze, Serisë A, Bundesligës dhe La Ligës, duke vendosur një pauzë dimërore.
Premier League është në bisedime me Federatën e Futbollit për të gjetur hapësirën e nevojshme, pasi çdo vit ka pakënaqësi nga trajnerë dhe drejtues klubesh për ritmin e lartë tw ndeshjeve, çka shkakton lodhjen dhe ezaurimin e forcave të lojtarëve. Mendohet që hapësira më e mirë në kalendarin anglez të jetë ajo në javët e fundit të janarit, pasi tashmë është traditë për sportadashësit anglezë ndeshja e futbollit në ditën e ndërrimit të viteve.
Për më tepër kanalet aktuale që zotërojnë të drejtat e transmetimeve të Premier League-s si Sky Sports dhe BT Sport, por edhe jashtë vendit, me një vlerë prej 820 milionë stërlinash, janë kategorikë dhe nuk pranojnë asnjë ndryshim në kalendarin ekzistues deri në përfundimin e kontratës aktuale, e cila skadon në vitin 2019. Në këtë mënyrë në fushatën e re të shpërndarjes së të drejtave televizive Federata e Futbollit do të parashtrojë kalendarin e ndryshuar, që parashikon dy javë ndalesë.



