PSG e do në Francë, ja si përgjigjet Rakitiç
Mesfushori kroat Ivan Rakitiç i ka mbyllur dyert klubit francez të Paris Saint Germain, duke theksuar se është shumë i lumtur te Barcelona dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga klubi katalan.
Francezët prej kohësh janë vënë në kërkim të një mesfushori dhe ka qenë pikërisht kroati, i përzgjedhuri i Thomas Tuchel, por duket se nënkampioni i botës e ka ndarë mendjen për të qëndruar në Spanjë.
“Jam shumë i lumtur te Barcelona dhe për më tepër shumë krenar që vrapoj për të mbrojtur ngjyrat e kësaj skuadre. As PSG dhe asnjë klub tjetër nuk mund të më ofrojë atë që kam këtu, ndaj qëndroj te Barcelona”, deklaroi Rakitiç pas ndeshjes me Valladolidin.
Klubi katalan kërkon të rrëmbejë Andrien Rabiot nga PSG-ja, por francezët kanë bërë rezistencë dhe kërkuan pikërisht kroatin në shkëmbim, pa llogaritur më herët dëshirën e këtij të fundit.



