Serie A

PSG gati ofertën e re prej 70 milionësh për Skriniar, prezantohet një mbrojtës, Vidal me valixhet gati

“Jam shumë i lumtur që jam te Interi, duke qenë se jam tifoz zikaltër që fëmijë”. Raoul Bellanova është prezantuar kështu me tifozët, gjatë kryerjes së vizitave mjekësore para zyrtarizimit. Ish lojtari i Cagliarit është gati për të mësuar nga Dumfries, një prej anësorëve më efikasë të sezonit të fundit.

Interi ka sistemuar kështu çështjen e lojtarëve të krahut, duke i besuar dëshirës dhe dinamizmit të djaloshit të rritur në akademitë e Milanit. Një transferim me kosto të ulët, i mbyllur me formulën e huazimit për 3 milionë euro, dhe me të drejtë blerjeje për 7 milionë. Bellanova firmosi një kontratë katër vjeçare , me një pagë që do rritet çdo vit me nga 400 mijë euro, duke nisur nga 900 mijë euro neto plus bonuset në sezonin e parë.

ÇËSHTJA SKRINIAR
Interi vazhdon kështu fushatën e përforcimeve, por aktualiteti sjell edhe të tjera kontakte për shitjen e Milan Skriniar. Inter dhe PSG kanë folur sërish për mbrojtësin sllovak, për të cilin pritet të mbërrijë një ofertë e re, më pranë shifrës prej 70 milionësh që është e nevojshme për të zhbllokuar çështjen. Propozimi i fundit i PSG kishte qenë 60 milionë plus Draxler, por Interi ka bërë të qartë se nuk do të marrë në konsideratë asnjë kundërshpërblim teknik.

Duhen të paktën 70 milionë euro për të lënë të lirë Skriniar. Pasi kanë humbur Botman, vështirë që në klubin parizien mund të rrezikojnë të humbasin edhe Skriniar, që konsiderohet nga drejtori sportiv Campos, si profili më i mirë për të sistemuar mbrojtjen e PSG, në mënyrë që të gjejnë ekuilibrin për të synuar sërish Championsin, të kthyer tanimë në fiksim për Presidentin Al Khelafi. Me vetë Skriniar akordi është arritur, kontratë 4-vjeçare prej 7.7 milionë eurosh neto në sezon plus bonuse që e çojnë pagën vjetore në 9 milionë euro në vit. Duhej një propozim i tillë për të bindur Skriniar që të lërë Milanon, dhe tani që ka ardhur, duhet kënaqur edhe Interi.

VIDAL TE FLAMENGO
Ndërkohë nga Brazili japin të kryer kalimin e Arturo Vidal te Flamengo. Mesfushori kilian duhet së pari të zgjidhë kontratën e tij me Interin, për tu transferuar më pas falas te klubi nga Rio de Janeiro, që është i gatshëm ti plotësojë kërkesat për pagën. Në akordin e vjetër me Vidal, Interi kishte mundësinë ta linte të lirë kilianin duke i paguar një shumë prej 4 milionë eurosh. Mbetet për tu parë nëse Vidal do t’i bëjë një lëshim klubit, tani që ka përfunduar krejtësisht akordin me Flamengon. Sipas mediave braziliane, Arturo pritet në qytet këtë të enjte për vizitat mjekësore.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency