PSG “mbledh rripat” për Man. United, Neymar “shkëlqen” në karnavale
Festat ku po merr pjesë në vendlindjen e tij dhe bisedat në dukje “intime” me një bionde të panjohur dhe me “yllin” e muzikës pop, Anitta, gjatë karnavaleve në Rio de Janeiro tregojnë se Neymarit “ia ndien” pak për PSG-në, ndërsa klubi francez po përgatitet për ndeshjen e kthimit të Championsit me Manchester United, ku thjesht duhet të administrojë epërsinë e dy golave të shënuar në “Old Trafford”.
Neymar nuk duket se ka probleme në shputën e këmbës, madje nuk do ta kishte të vështirë të bënte ato lëvizje sensuale të kërcimit në karnavale. 27-vjeçari theu kockën e pestë të shputës së këmbës në një ndeshje të Kupës së Francës kundër Strasburgut në fund të janarit dhe u kthye në Brazil për të vijuar me fazën riaftësuese.
Ai ka humbur deri tani shtatë ndeshje të Ligue 1, dy në Kupën e Francës dhe takimin e parë të Championsit kundër Manchester United.












