Pushimi në kohën e duhur, Kastrioti synon tre pikët ndaj Skënderbeut
Kastrioti dhe Skënderbeu përballen sot me synimin për ta rinisur me këmbën e mbarë kampionatin dhe natyrisht për të gjetur edhe fitoren e parë, në një sfidë të rëndësisë së veçantë mes dy skuadrave që si objektiv primar kanë mbijetesën.
Për krutanët aktualisht në fund të klasifikimit me vetëm një pikë pas katër ndeshjeve, pauza e kombëtareve erdhi në momentin e duhur, për të tejkaluar momentin psikologjik pas asaj humbjeje në ndeshjen e fundit me Egnatian, dhe mbi të gjitha për të punuar me një skuadër që siç shprehet vetë trajneri ka qenë vonë me përgatitjet.
Për më tepër Ramazan Ndreut i janë rikuperuar edhe disa lojtarë duke i rritur mundësinë për të manovruar me zgjedhjet. Me skuadrën është bashkuar edhe përforcimi më i fundit Okebugu, por mesfushori 23-vjeçar nga Nigeria vështirë se do të mund të jetë përballë Skënderbeut.
Skuadra e Migen Memellit ndërkohë vjen e plotë për sa i përket organikës, me trajnerin e korçarëve që beson te kualiteti i grupit të tij. Një grup që është pasuruar dhe me Agnaldo Moraes, brazilianin që vetëm pak ditë më parë ka mbërritur pikërisht nga Kastrioti dhe e shikon këtë sfidë tanimë si kundërshtar i grupit me të cilin nisi kampionatin.



