Kategoria Superiore

Pushimi vjen në momentin e duhur për surprizën e Superligës

Një tjetër ndeshje dhe më pas pushim absolut në fushë por jo në klub. Pas një starti fantastik të sezonit, Kamza, që po rezulton surpriza e vërtetë e futbollit shqiptar, ka hedhur 2 hapa falsë në kampionat, që e kanë dëmtuar pjesërisht moralin e skuadrës së Ramazan Ndreut. Vendi i dytë nuk është më në pronësi të skuadrës nga periferia e kryeqytetit, si pasojë e disfatave ndaj Luftëtarit dhe Vllaznisë, ndërsa vitin 2017 Kamza do ta mbyllë me duelin e shtëpisë kundër Flamurtarit.

Ndaj vlonjatëve, sido që të shkojnë gjërat, Kamza tashmë i ka bërë bilancet e pjesës së parë të sezonit dhe shifrat janë të qarta. Skuadra e Ndreut ka kaluar çdo parashikim, por kujdes, pasi zona e ftohtë mbetet një kërcënim konstant, sepse në Kategorinë Superiore sa hap e mbyll sytë mund ta gjesh veten në vallen e mbijetesës.

Në këtë mënyrë, pushimi i dimrit më shumë se kujtdo do t’i shërbejë Kamzës për të qartësuar idetë dhe për të marrë masat që rrëshqitje të tilla të mos ndodhin më në të ardhmen, sepse rivalët janë aty, në pritje për të përfituar nga gabimet e debutuesve. Në një intervistë për “Zona Gol” pak ditë më parë, trajneri Ndreu u shpreh se koha e merkatos nuk ka ardhur ende, por ai la të kuptohet se skuadra ka nevojë edhe për përforcime të matura në repartet më delikate.

Marrëdhënia e tij me presidentin është e shkëlqyer dhe kjo reflektohet edhe në funksionimin e klubit, prandaj me shumë mundësi, lojtarët që Ndreu kërkon, do të jenë në shportën e dhuratave të fundvitit. Kamza është aty për t’u rikthyer sërish e bukur në vitin 2018, sepse kjo skuadër ka treguar që di të bëjë gjëra të mëdha.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency