Puyol “plas bombën” në Twitter, Messi në orët e fundit te Barcelona?!
Pasditen e sotme u vendos e ardhmja e Antonio Contes, që pavarësisht përplasjeve me drejtuesit, do të vijojë të mbetet te Interi për të paktën edhe sezonin e ardhshëm, ndërsa marrëveshja u arrit pas një takimi që zgjati më tepër se 3 orë.
Ndërkohë këtë javë pritet të vendoset e ardhmja e yllit të futbollit botëror, Lionel Messi, ndërsa sinjalet që vijnë si nga Spanja ashtu edhe nag Argjentina, konfirmojnë se 6 herë fituesi i Topit të Artë duket i vendosur të lërë Barcelonën.
Kështu në mbrëmjen e sotme kanë qenë mediat argjentinase, që duke citur burime pranë familjes së Lionel Messit, kanë raportuar se ky i fundit i ka bërë të qartë presidentit të Barcelonës dhe trajnerit Koeman, se dëshiron të largohet këtë verë.
Nga ana tjetër, edhe ish presidenti i katalanëve, Joan Laporta ka deklaruar më herët për mediat spanjolle, se duke parë veprimet e sjelljet e drejtuesve, duket sikur te Barcelona duan ta largojnë Messin këtë verë.
Por bombën e vërtetë të mbrëmjes e hodhi ish kapiteni i Barcelonës Carles Pujol, i cili nëpërmjet një statusi në Twitter, ku ka lënë të kuptohet se largimi i Messit është fakt tashmë dhe pritet vetëm zyrtarizimi.
“Respekt dhe admirim. Ke gjithë mbështetjen time, mik”, ka shkruar Puyol në Twitter, duke lënë të kuptohet se Messi ka vendosur tashmë të largohet nga Barcelona dhe se në orët apo ditët e ardhshme pritet zyrtarizimi.
Ylli argjentinas ka pasur përplasje të shumta me drejtuesit, sidomos gjatë sezonit të fundit, ku Barcelona nuk fitoi asnjë trofe, pasi zhgënjeu si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, ku u eliminua nga Bayerni i Mynihut në çerekfinale pas humbjes së turpshme 8-2.




