Qëndrimi i Mourinhos do të “shkrinte” Manchester United
Manchester United mund të humbasë lojtarët më të rëndësishëm nëse Jose Mourinho mbijeton deri në fund të sezonit. Në një shkrim të “Daily Mail”, që analizon situatën te “Djajtë e Kuq”, marrëdhëniet mes trajnerit portugez dhe “yjeve” të skuadrës “thyer” deri në atë pikë se nuk mund të bëhet më fjalë për kthimin në gjendjen normale.
Paul Pogba mbetet çështja kryesore që vazhdon të turbullojë ujërat në Manchester. Mesfushori francez, që është në konfilt të hapur prej muajsh me trajnerin, kërkoi largimin në merkaton e verës, por drejtuesit rezistuan, duke mos e pranuar ofertën e Barcelonës. Me Mourinhon në stol, çështja “Pogba” pritet të rihapet në janar e nëse edhe në sesionin e radhës të merkatos nuk do të ketë lëvizje, në verë largimi do të jetë i pashmangshëm.
Në fund të sezonit i përfundon kontratë edhe mbrojtësit anglez, Luke Shaw. Nëse Mourinho mbijeton, rinovimi i kontratës me 23-vjeçari do të jetë i pamundur.
Javët e fundit është folur edhe për një rinovim të mundshëm të kontratës me sulmuesin francez, Anthony Martial, por sigurisht bisedimet mund të nisin vetëm nëse lojtarit i garantohet se trajner nuk do të jetë Mourinho.
Edhe portieri De Gea nuk është i kënaqur me situatën që po përjeton te Manchester United. Edhe pse konsiderohet ndër më të mirët në botë, nuk po fiton në “Old Trafford” atë që i shkon përshtat staturës së tij. Drejtuesit e klubit po punojnë për zgjatjen e kontratës me spanjollin, që në moshën ideale për të qenë më i miri në botë, po mbron portën e një skuadre që nuk është e aftë të rivalizojë për trofe të rëndësishëm.
Edhe e ardhmja e Eric Bailly-t është e paqartë, pas poshtërimit që mori ndaj Newcatle, teksa u zëvendësua pas vetëm 18 minutave, kur rezultati ishte 0-2.
Zemërimin e Mourinhos po e vuan edhe Antonio Valencia, pasi pëlqey një postim ku kërkohej shkarkimi i trajnerit. Futbollisti ekuadorian do të kërkojë një sistemin të ri në janar.
Lojtarë të tjerë, të cilëve u përfundon kontrata në verë janë Juan Mata, Ander Herrera, Ashley Young e Phil Jones.
Nëse drejtuesit vazhdojnë të mbështesin pa kushte Jose Mourinho, United duhet të nisë gjithçka nga e para, pasi janë mbi 10 lojtarë veteranë që e kanë të pamundur të punojnë me portugezin.



