Raçiç protagonist, Ndreu “fërkon duart”
Stevan Racic rikthehet protagonist në futbollin shqiptar. Pas dy sezoneve te Partizani ku shënoi në total 20 gola në kampionat, shtatlarti i lindur në Serbi ka nisur këtë sezon një aventurë të re me Kamzën debutuese në Superiore. Pas vështirësive normale të fazës së ambjentimit, sulmuesi shtatlart duket se ka marrë për dore ekipin nga periferia e kryeqytetit. Tre gola vendimtarë në dy ndeshjet e fundit që i kanë siguruar Kamzës 4 pikë të arta në betejën e mbijetesës. Lojtari serb i dha shenjat e para që në sfidën kundër Teutës në Kamëz ku zhvilloi një ndeshje me intensitet por arriti ta shënjestronte saktësisht kuadratin vetëm në fund të takimit me një 11-metërsh. Një gol që duket se i zhbllokoi këmbët për të bërë atë që di të bëjë më mirë, të shënojë në vazhdimësi.
Mungesat e vazhdueshme të Sebino Plakut po ndihen përherë e më pak në repartin e avancuar të skuadrës së Ndreut, i cili mund të fërkojë duart pasi më në fund ka arritur të ndihmojë në shpërthimin e sulmuesit kryesor të skuadrës. Në këtë aspekt, edhe dy golat e shënuar në Gjirokastër nuk janë një rastësi sepse Raçiç reflektoi një gjendje të mirë fizike duke qenë protagonist në çdo aksion të skuadrës së tij deri në minutën e 94, duke rezultuar një rrezik konstant për mbrojtjen gjirokastrite që mesa duket nuk i kishte vlerësuar aspak aftësitë e lojtarit 194 cm të gjatë. Goli i parë është një realizim tipik i një qëndërsulmuesi që gjendet në vendin dhe momentin e duhur, ndërsa në rastin e 11-metërshit, 33-vjeçari u tregua mjaftueshëm i ftohtë për ta ndalur topin në rrjetë. 3 gola në 5 javë nuk janë aspak keq dhe nëse Raçiç vazhdon me këtë ritëm, atëherë Kamza mund të zhvillojë një sezon të qetë, pa frikën e rikthimit në Kategorinë e Parë.



