Radhë për biletat në Prishtinë, Challandes shpjegon zgjedhjen e Hadërgjonajt
Shitja e biletave për ndeshjen e Përfaqësueses së Kosovës në Ligën e Kombeve me Maltën, që do të luhet të mërkurën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka filluar me vonesë, çka ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët.
Gjithsesi këta të fundit janë të shumtë në numër, në radhë nëpër sportele, ku presin të blejnë një biletë, gjë që konfirmon interesin e lartë për këtë sfidë, ku Kosova do të kërkojë fitoren e dytë në një grup ku synon vendin e parë.
Vetë trajneri i Kosovës, Bernard Challandes vlerësoi dy sfidat e radhës dhe marrjen e pikëve në to, por vuri theksin te loja e skuadrës, e cila është primare, në optikën e trajnerit zviceran.
“Nuk është me rëndësi sa pikë do marrim, por paraqitja në fushë. Jemi në mes të një gare dhe pikët kanë rëndësi, por nëse vjen loja, më pas marrim të tjerat”, tha Bernard Challandes Trajner i Kosovës.
Edhe pse tashmë Kosova ka një përfaqësuese të sajën, shumë futbollistë me origjinë nga ky shtet, vijojnë të kenë Zvicrën si zgjedhje primare, ashtu si në periudhën kur kërkoheshin nga kombëtarja shqiptare.
Rasti më i fundit është ai i mesfushorit Florent Hadërgjonaj, i cili u kërkua me ngulm nga Challandes, por së fundi vendosi t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së trajnerit të Zvicrës, Petkoviç.
“Kam folur shumë së fundmi me Florent Hadërgjonajn, por ai nuk ka qenë në gjendje për të dhënë përgjigje për Kosovën. Tani është ftuar nga përzgjedhësi i kombëtares zvicerane në dy ndeshjet e radhës dhe nëse luan një minutë, atëherë nuk do të mund të luajë për ne, pra do të luajë për Zvicrën. Ky është rregulli”, u shpreh trajneri.



